Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pritur të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë shefin e diplomacisë ruse Sergej Lavrov, që është takimi i tij i parë direkt me një zyrtar të qeverisë ruse pas marrjes së detyrës së shefit të shtetit.
Siç është paralajmëruar më herët, Trump dhe Lavrov do të bisedojnë për marrëdhëniet bilaterale, Sirinë dhe çështje tjera ndërkombëtare.
Para ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, Lavrov ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit Rex Tillerson, i cili tha se takimi i tyre është rast për të dy politikanët që të vazhdojnë dialogun dhe të shkëmbejnë qëndrimet që kishin nisur muajin e kaluar në Moskë.
I pyetur të komentojë vendimin e Trump për shkarkimin e shefit të FBI-së James Comey, Lavrov tha në mënyrë sarkastike: “Ai është shkarkuar? Po mahiteni, po mahiteni!”, transmeton AFP.
Nga ana tjetër, Tillerson ka injoruar pyetjen për shkarkimin e shefit të FBI-së.
Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përkeqësuar pas sulmeve ajrore amerikane në bazën ajrore në Siri dhe ky takim do të ishte sinjal për përmirësimin e marrëdhënieve, për të cilat kohë më parë Trump tha se ishin në nivelin më të ulët, transmeton AP.