Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u zotua se çdo sulm nga Irani do të pritej me një përgjigje “1000 herë më të madhe”, pas raporteve se Irani planifikoi të hakmerret për vrasjen e gjeneralit të lartë Qasem Soleimani.
Një raport i mediave amerikane, duke cituar zyrtarë të paemëruar, tha se një komplot iranian i pretenduar për të vrarë ambasadorin amerikan në Afrikën e Jugut ishte planifikuar para zgjedhjeve presidenciale në nëntor, shkruan France24, përcjell Telegrafi.
“Sipas raporteve të shtypit, Irani mund të jetë duke planifikuar një atentat, ose sulm tjetër, kundër Shteteve të Bashkuara në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e liderit terrorist Soleimani”, shkroi Trump në Twitter.
“Çdo sulm nga Irani, në çdo formë, kundër Shteteve të Bashkuara do të përballet me një sulm ndaj Iranit që do të jetë 1.000 herë më i madh në madhësi!”.
Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit kanë qenë të tensionuara që nga revolucioni iranian dhe janë rritur që kur Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga një marrëveshje e rëndësishme ndërkombëtare bërthamore me Iranin në maj të vitit 2018.
Ndryshe, në janar, një sulm me dron amerikan vrau Soleimanin në Bagdad dhe Uashingtoni po shtyn të zgjasë një embargo armësh mbi Iranin që fillon të skadojë progresivisht në tetor, si dhe rivendosjen e sanksioneve të OKB-së mbi republikën Islamike.
Ndërkohë flota detare iraniane javën e kaluar tha se largoi avionët amerikanë që fluturuan afër një zone ku stërvitjet ushtarake po zhvilloheshin pranë ngushticës së Hormuz.
Ushtria tha se tre aeroplanë amerikanë u zbuluan nga radarët e forcave ajrore të Iranit pasi ata hynë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të vendit. /Telegrafi/