Telegrafi

Trump premton eksplorimin e Marsit ndërsa rikthehet me tubim në vendin ku i shpëtoi atentatit

Donald Trump është rikthyer në vendin ku i mbijetoi një atentati në Butler, Pensilvani.

“Faleminderit”, tha ai para një turme të madhe.

“Një faleminderit shumë i madh. Ne e duam Pensilvaninë”, shtoi ai, gjë që shkaktoi brohoritje nga publiku.

Trump tha: “Kthehem në Butler për të dhënë një mesazh të thjeshtë. Ne do ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri, do të fitojmë zgjedhjet”.

“Personi i armatosur kishte për qëllim të më mbyllte gojën mua dhe lëvizjes MAGA”, tha Trump në lidhje me atentatin.

Bëhet e ditur se duke diskutuar fushatën e tij për Shtëpinë e Bardhë, ai premtoi përgjysmimin e çmimeve të energjisë dhe ulje të mëdha taksash, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Ish-presidenti gjithashtu premtoi se SHBA-ja do të “mbërrijë në Mars” para përfundimit të mandatit të tij të dytë, nëse ai rizgjedhet.

Siç raportohet, në orën 18:11, koha kur shpërthyen të shtënat, Trump bëri thirrje për një moment heshtjeje.

Disa nga turma brohorisnin “luftoni, luftoni, luftoni” – slogani që Trump përdori për të mbledhur ndjekësit e tij disa momente pasi u qëllua.

Më vonë ai e përsëriti vetë frazën, ndërsa kandidati i tij për zëvendëspresident, JD Vance, tha se ish-presidenti “mori një plumb për demokracinë”. /Telegrafi/