Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të shtunën se po e konsideron mundësinë për ta falur Edward Snowden, ish-punonjësin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA) – i cili tani jeton në Rusi.
Snowden i kishte zbuluar disa raporte të fshehta të NSA-s, të cilat tronditën botën gjatë vitit 2013.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, gjatë një konference për shtyp, Trump potencoi se ai nuk kishte shumë njohuri rreth çështjes, mirëpo dëgjoi argumente të fuqishme për sa i përket mundësisë për ta falur atë dhe disa të tjera për të cilën nuk duhet ta bënte një gjë të tillë.
“Do ta rishikojë çështjen e tij”, u shpreh Trump para gazetarëve ku foli për për një falje të mundshme.
Ndërkohë, autoritetet e SHBA-së e kanë kërkuar me vite kthimin e Snowden i cili sipas tyre ai duhet të përballej me një proces penal në lidhje me akuzat për spiunazh.
Snowden ishte larguar nga vendi dhe u strehua në Rusi, pasi zbuloi një arkiv të dosjeve sekrete të NSA-s në vitin 2013.
Avokati rus i Snowden, Anatoly Kucherena, i tha agjencisë së lajmeve RIA se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet thjesht ta falnin atë, por duhet të heqin dorë nga të gjitha ndjekjet e mundshme penale pasi ai nuk kishte kryer ndonjë krim. /Telegrafi/