Site icon Telegrafi

Trump po çon drejt shkatërrimit sistemin e tregtisë globale

Dhjetë vjet pas falimentimit të bankës ‘Lehman Brothers’, ne e dimë se reagimi shumëpalësh, ishte vendimtar në parandalimin që i ashtuquajturi Recesioni i Madh, të bëhej edhe më i madh nga sa ishte. Asokohe, po lëkundej vetë ishte sistemi financiar botëror. Sot është në rrezik sistemi i tregtisë globale.

Gjatë 70 viteve të fundit, multilateralizmi i ka shërbyer botës për mirë. Shtetet e Bashkuara përjashtuan ndëshkimin dhe dëmshpërblimet pas Luftës së Dytë Botërore. Në vend të kësaj, ajo udhëhoqi rrugën për krijimin e tre institucioneve kryesore ekonomike – Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Tregtisë – që përbëjnë bazën e ekonomisë ndërkombëtare, që është ende në fuqi sot, shkruan Anne O.Krueger, për “Project Syndicate”.

Secili prej këtyre institucioneve, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike globale, por jo më shumë se sa OBT-ja. Për shkak të zgjerimit të një sistemi tregtar të hapur multilateral në kuadër të OBT, tregtia që nga Lufta e Dytë Botërore është rritur 1.5 herë më shpejt se PBB-ja globale.

Megjithëse multilateralizmi nuk është më pak i rëndësishëm sot, se sa ishte gjatë gjithë epokës së pas luftës, kërcënimet ndaj OBT po rriten. Më kryesoret, janë sulmet e vazhdueshme nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, i cili po përpiqet të minojë institucionin, si në letër ashtu edhe në frymë.

Gjatë fillimit të krizës financiare një dekadë më parë, shumëkush u druajt se vendet do të ngrinin barriera të reja tregtare, pasi kjo është ajo që ndodhi në vitet 1930, dhe gjatë recesioneve të tjera të pas luftës. Por kufizimet tregtare u shmangën, kryesisht pasi OBT dhe G20 ndërhynë në lehtësimin e bashkëpunimit shumëpalësh.

Vëllimi global i tregtisë nuk u tkurr në maksimum; dhe deri në vitin 2011, u rikthye në nivelin e tij të para krizës. 164 vendet anëtare të OBT-së, janë zotuar të mbështesin një sistem të hapur multilateral, dhe rregulla dhe procedura të përbashkëta, që synojnë të ndihmojnë në rritjen e këtij sistemi.

Këto rregulla bëjnë për tregtinë ndërkombëtare, atë që kodet tregtare kombëtare bëjnë për kontratat dhe transaksionet ndërmjet palëve, brenda një juridiksioni të dhënë. Sipas rregullave të OBT -së, kompanitë tregtare ndërkombëtare, i nënshtrohen të njëjtave rregulloreve kombëtare si kompanitë kombëtare, dhe tregtarët kanë të njëjtat të drejta si shtetasit në gjykatat e partnerëve tregtarë.

Qeveritë, nuk mund të diskriminojnë anëtarët e tjerë të OBT-së. Tarifat lejohen vetëm në rrethana të caktuara. Dhe shkeljet e supozuara të rregullave, i referohen Trupës së Zgjidhjes së Konflikteve në OBT. Siguria se kompanitë tregtare, do të kenë një trajtim të drejtë rregullator dhe gjyqësor nga qeveritë e vendeve anëtare është thelbësore; dhe parimi i mosdiskriminimit, ka qenë një parim i sistemit të tregtisë globale që nga fillimet e tij. Këto janë dispozitat, që e bëjnë sistemin vërtetë shumëpalësh.

Nën kuadrin e OBT-së, parimi i kombeve më të favorizuara (MFN), lejon negociatat shumëpalëshe të tregtisë midis të barabartëve. Përmes negociatave të tilla, tarifa mesatare e mallrave të prodhuara midis ekonomive të përparuara, është zvogëluar nga mbi 40 për qind në fund të viteve 1940, deri në rreth 4 për qind sot – në dobi të të gjithë anëtarëve.

Mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së (DSM), është gjithashtu jetik për tregtinë globale. Kur autoritetet e një vendi besojnë, se një partner tregtar po shkel rregullat e dakorduara në mënyrë reciproke, ata mund të çojnë rastin e tyre përpara OBT.

Më pas, panelet e arbitrazhit të OBT-së do të marrin në konsideratë argumentet nga secila pale, dhe do të japin ndëshkimet kur vlerësojnë se është e përshtatshme. Nga ana e saj, SHBA-ja ka fituar më shumë se 90 për qind të mosmarrëveshjeve që ka çuar në OBT.

Ashtu si zembereku i një ore mekanike, OBT vepron si mekanizëm i brendshëm i sistemit global të tregtisë. Nuk është e dukshme, por është absolutisht thelbësore që mekanizmi të funksionojë. Dhe megjithatë, përkundër rëndësisë jetike të OBT-së, kjo e fundit po dobësohet. Kërcënimi më i menjëhershëm është DSM.

Të paktën tre gjyqtarë të arbitrazhit janë të nevojshëm për të dëgjuar një ankesë, por administrata e Trump ka bllokuar të gjithë të emëruarit për të zëvendësuar ata që u është mbaruar mandati. Kur të mos ketë kuorum, nuk mund të dëgjohen më raste apelimi, dhe disa vende mund të fillojnë të shkelin rregullat e OBT-së pa u ndëshkuar.

Një kërcënim tjetër i rëndësishëm për kornizën e OBT-së, është përdorimi nga administrata Trump i sigurisë kombëtare, për të justifikuar tarifat e saj diskriminuese për çelikun dhe aluminin e importuar. Natyrisht, SHBA-ja nuk po përballet me një kërcënim të vërtetë kombëtar të sigurisë nga aleatët si Kanadaja apo Japonia, çka do të thotë se tarifat e saj janë sigurisht një shkelje e frymës – dhe ndoshta edhe e germës – së rregullave të OBT.

Tarifat amerikane, kanë minuar tashmë rritjen globale, dhe e kanë dobësuar OBT-në. Në një botë të zinxhirëve të furnizimit ndërkufitar dhe rritjes së ndërlidhjes, ndërprerja e panevojshme e tregtisë së hekurit dhe çelikut, do të rezultojë në prodhim më të ulët jo vetëm në vendet eksportuese, por edhe në SHBA.

Dhe gjasat që vendet e tjera do të hakmerren, e bëjnë situatën edhe më të rrezikshme. Sidoqoftë, tarifat diskriminuese pothuajse me siguri nuk arrijnë të përmbushin synimin e deklaruar të Trump:një reduktim në pabarazitë bilaterale të tregtisë së SHBA-së.

Bilanci i llogarisë korrente të çdo vendi, është diferenca midis kursimeve të brendshme (publike dhe private) dhe investimeve vendase. Përveç rastit kur kursimet rriten ose investimet bien, hendeku i llogarisë korrente nuk mund të ngushtohet.

Çdo përpjekje për të minuar tregtinë ndërkombëtare – një motor kryesor i rritjes ekonomike globale që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore – do të imponojë në mënyrë të pashmangshme kosto të larta për të gjithë, përfshirë anëtarët e klasës punëtore, që janë baza politike e Trump. Komuniteti ndërkombëtar përtej SHBA-së, duhet t’i rezistojë sjelljeve të Trump, dhe të ripohojë parimet e një sistemi të hapur multilateral – para se të jetë tepër vonë.

Shënimi: Anne O.Krueger, është ish ekonomistja kryesore e Bankës Botërore dhe ish-zëvendësdrejtore e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ajo është profesoreshë e Kërkimit mbi Ekonominë Ndërkombëtare në Universitetin Xhon Hopkins në SHBA. /Bota.al/

Exit mobile version