Site icon Telegrafi

Trump i përgjigjet ofertës së Salmanit prej 600 miliardë dollarësh: Duhet t’i rrumbullakojë investimet në një trilion

Arabia Saudite do të investojë 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet e ardhshme, deklaroi presidenti Donald Trump, para se të shtonte shpejt se dëshiron të shohë një shumë edhe më të madhe.

“Por do t’i kërkoj princit të kurorës, i cili është një figurë fantastike, ta rrumbullakojë shumën në rreth një trilion. Mendoj se ai do ta bëjë, sepse ne kemi qenë shumë të mirë ndaj tyre”, tha 78-vjeçari gjatë një fjalimi përmes video-lidhjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Pak pas inaugurimit të hënën, Trump zhvilloi një bisedë telefonike me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i cili konsiderohet si sundimtari de facto i mbretërisë së Gjirit.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se kjo ishte telefonata e parë që Trump zhvilloi me një lider të huaj gjatë mandatit të dytë presidencial.

Sekretari i sapoemëruar i Shtetit, Marco Rubio, gjithashtu foli me Bin Salman menjëherë pas marrjes së detyrës.

Trump u pyet ditën e parë në zyrë se cila mund të jetë destinacioni i vizitës së parë jashtë vendit. Presidenti tha se gjatë mandatit të parë, ai fillimisht udhëtoi në Arabinë Saudite, pasi ai vend atëherë kishte njoftuar investime prej 450 miliardë dollarësh.

I pyetur nëse do të shkonte përsëri aty në fillim, ai u shpreh se kjo është e mundur, nëse ata janë të gatshëm të investojnë të njëjtën shumë ose më shumë. Trump gjithashtu u tha liderëve në Davos se do të ushtrojë presion mbi Arabinë Saudite për të ulur çmimet globale të naftës. /Telegrafi/

Exit mobile version