Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka realizuar një intervistë me Kristen Welker të NBC News.
Gjatë intervistës, Trump ka detajuar planet e tij që nga momenti kur do të kthehet përsëri në Shtëpinë e Bardhë dhe më tej.
Por, ajo që mori vëmendje ishte diskutimi mbi Këshilltarin Special për Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, Jack Smith, përcjell Telegrafi.
“A dëshironi që Pam Bondi të hetojë Jack Smith?”, e pyet Welker.
Republikani përgjigjen e nis me një paralajmërim.
“I çmenduri Jack Smith po kthehet në Hagë ku mund të ‘dënojë’ njerëz. Ai duhej të qëndronte atje. Por edhe atje është i rrezikshëm”, u shpreh Trump.
Trump kujtoi akuzat e Smith për praninë e dokumenteve sekrete në pronën e tij në Florida , ndërsa tha se mbase ai e ka ndihmuar që të fitonte bindshëm në zgjedhjet presidenciale.
“A dëshironi që Jack Smith të hetohet?”, Welker pyeti përsëri.
“Unë mendoj se ai është shumë i korruptuar, por Pam Bondi duhet të bëjë çfarëdo që dëshiron”, tha Trump.
Ndryshe, në maj të vitit 2018, Smith ishte emëruar Prokuror i Specializuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, Holandë dhe ka marrë funksionet e tij për të hetuar krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, në shtator 2018.
Smith është prokurori që i akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen ende në Hagë. /Telegrafi/