Site icon Telegrafi

Trump për coronavirusin: Në SHBA mund të vdesin 70 mijë persona

Presidenti amerikan Donald Trump, ka deklaruar se parashikon që në këtë shtet si pasojë e coronavirusit të humbin jetën deri në 70 mijë persona.

“Nëse shikoni projeksionet e para kanë treguar se kanë mundur të vdesin 2.2 milionë njerëz, kurse tani vlerësojmë se do të jetë nga 60 deri në 70 mijë. Janë shumë. Edhe një person po të vdesë është shumë, por mendoj se kemi marrë shumë vendime të mira”, ka shtuar Trump, transmeton Telegrafi.

Ai pranoi se mbyllja e kufijve apo ndalimi që njerëzit e ardhur nga Kina të futen në SHBA, ka qenë “vendim i madh”. Këto komente Trump i bëri derisa është pyetur nga gazetarët nëse meriton të rizgjidhet për president në tetor, pasi gjatë administrimit të tij nga COVID-19 për gjashtë muaj kanë humbur jetën aq njerëz sa kishin humbur në luftën e Vietnamit.

Vlerësohet se në luftën e Vietnamit kanë humbur jetën rreth 58 mijë persona, kurse në SHBA deri më tani si pasojë e COVID-19, kanë vdekur rreth 55 mijë.

“Mendoj se kemi bërë punë të shkëlqyeshme. Do ta them sërish, edhe një person po të vdesë është shumë”, ka shtuar Trump gjatë konferencës për media të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version