Telegrafi

Trump: Pasojat do të jenë të rënda për këdo që qëndron pas vrasjes së gazetarit

Gazetari i zhdukur saudit, Jamal Khashoggi, duket se ka vdekur, do të ketë pasoja të rënda për këdo që qëndron pas këtij krimi, tha sot presidenti amerikan Donald Trump.

Tani kur autoritetet turke kanë deklaruar se dyshimi kryesor është se gazetari saudit është vrarë dhe po kërkojnë për trupin e tij, edhe presidenti Trump duket i bindur se ai ka vdekur, i cili tha se kjo “është shumë e trishtueshme”.

Turqia ka akuzuar Arabinë Saudite për dërgimin e një skuadre për të rrëmbyer dhe vrarë gazetarin, ndërkohë që Riadi e ka mohuar një gjë të tillë.

“Pasojat e mundshme për Arabinë Saudite do të duhet të jenë shumë të rënda. Kjo është një gjë e keqe, por do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli e të gjitha mrekullive, do të pranoj se ai është i vdekur”, tha Trump për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë para nisjes për në Montana.

Ai shtoi se “kjo bazohet në informacionet që vinë nga shërbimet inteligjente nga të gjitha anët”.