Site icon Telegrafi

Trump ‘i papërshtatshëm për të shërbyer’ – mbi 110 ish-zyrtarë republikanë i japin mbështetje Harrisit

Saktësisht 111 ish-zyrtarë republikanë të sigurisë kombëtare kanë mbështetur kandidaten demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris.

Në një letër të hapur, grupi i ish-zyrtarëve dhe politikanëve të Kongresit dhe Senatit deklaroi se lideri i ardhshëm i SHBA-së duhet të jetë dikush që mund të “përparojë e mbrojë sigurinë dhe vlerat amerikane, të forcojë aleancat tona dhe të mbrojë demokracinë tonë”.

“Ne presim të mos pajtohemi me Kamala Harrisin për shumë çështje të politikës së brendshme dhe të jashtme, por ne besojmë se ajo zotëron cilësitë thelbësore për të shërbyer si presidente dhe jo Donald Trump. Prandaj, ne mbështesim Harrisin për presidente”, thanë ata.

Grupi vazhdoi duke thënë se “kundërshtojmë fuqishëm” kandidaturën e Trumpit, shkruan skynews.

“Si president, ai promovoi kaosin e përditshëm në qeveri, lavdëroi armiqtë tanë dhe minoi aleatët tanë, politizoi ushtrinë dhe shpërfilli veteranët tanë. Ai i dha përparësi interesit personal mbi atij amerikan dhe tradhtoi vlerat tona, demokracinë dhe dokumentet themeluese të këtij vendi”, deklaruan ata.

Sipas mendimit të tyre, Trump ka nxitur sulmin e dhunshëm në Kongresin amerikan më 6 janar 2021 dhe duke mbrojtur ata që kryen sulmet, ai ka shkelur betimin në detyrë dhe ka rrezikuar vendin.

Letra vazhdoi duke thënë se “ndjeshmëria e ish-presidentit ndaj lajkave dhe manipulimeve” të presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij kinez, Xi Jinping, janë “të rrezikshme”.

“Ai është i papërshtatshëm për të shërbyer përsëri si president, apo në të vërtetë në ndonjë zyrë të besimit publik”, shtuan ata.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbahen më 5 nëntor (e martë). /Telegrafi/

Exit mobile version