Site icon Telegrafi

Trump padit televizionin CBS, kërkon dëmshpërblim prej 10 miliardë dollarësh shkaku i intervistës me Harrisin

Donald Trump ka paditur rrjetin televiziv CBS për një intervistë me Kamala Harrisin, sipas dokumenteve gjyqësore.

Ish-presidenti amerikan pretendon se intervista në emisionin “60 Minutes” me zëvendëspresidenten amerikane ishte “e manipuluar”.

Padia është bërë në Gjykatën e Rrethit të Veriut të Teksasit në SHBA, ku 78-vjeçari kërkon 10 miliardë dollarë dëmshpërblim, shkruan skynews.

CBS ka deklaruar më parë se intervista nuk ishte e manipuluar dhe se nuk u fsheh asnjë pjesë e përgjigjes së Harrisit.

“Më 20 tetor, 60 Minutes dha një fragment të intervistës sonë për Face the Nation, ku u përdor një pjesë më e gjatë e përgjigjes së saj sesa ajo në 60 Minutes. E njëjta pyetje. E njëjta përgjigje. Por, një pjesë tjetër e saj”, njoftoi CBS-ja.

“Kur redaktojmë çdo intervistë, qoftë me një politikan, një atlet apo një yll filmi, synojmë të jemi të qartë, të saktë dhe në thelb. Pjesa e përgjigjes së saj në 60 Minutes ishte më e shkurtër, gjë që lejon më shumë kohë për tema të tjera në një segment prej 21 minutash. Kujtojmë se Trumpi hoqi dorë nga intervista me 60 Minutes, ndërsa zëvendëspresidentja mori pjesë. Ftesa jonë e kahershme për ish-presidentin Trump mbetet e hapur”, deklaroi televizioni amerikan.

Rrjeti hodhi poshtë gjithashtu sugjerimet e mëparshme se 78-vjeçari mund ta padiste atë, duke i thënë ish-presidentit më 23 tetor se kërkesat e tij bazohen në një “premisë të gabuar”.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane pritet të mbahen më 5 nëntor (e martë). /Telegrafi/

Exit mobile version