Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dërgoi këtë të diel një mesazh për Pashkët në të cilin theksoi se festimi do të jetë “shumë i ndryshëm” nga ai i viteve të tjera për shkak të pandemisë COVID-19, por siguroi që kriza po kapërcehet dhe se familjet “së shpejti” do të jenë në gjendje të kthehen në kisha.
“Në shumë raste, ne do të ndahemi vetëm fizikisht nga kishat tona. Ne nuk do të rrimë atje së bashku ashtu siç do të donim”, tha ai në një video të postuar në llogarinë e tij në Twitter, e regjistruar në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, transmeton Telegrafi.
“Kjo është një plagë në vendin tonë siç nuk e ka parë askush, por ne po fitojmë betejën, po e fitojmë luftën. Ne do të kthehemi së bashku në kishë”, u shpreh Trump.
HAPPY EASTER! pic.twitter.com/UX5Bhm82H2
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) April 12, 2020
Dy javë më parë, presidenti kishte treguar se vendi do të rifillonte aktivitetin e plotë pas Pashkëve, por kurba e lart e pandemisë bëri që ai të miratojë një politikë më të kujdesshme.
Ndryshe Shtetet e Bashkuara tashmë janë vendi me numrin më të madh të infeksioneve dhe vdekjeve në të gjithë botën. Ky vend ka më shumë se 530 mijë të infektuar dhe më shumë se 20 mijë të vdekur. /Telegrafi/