Site icon Telegrafi

As Trump nuk po mund të ndal ngritjen e çmimit të vezëve – Sekretarja e Bujqësisë ka një zgjidhje për këtë

Sekretarja e Bujqësisë në administratën e Trumpit, Brooke Rollins, u sugjeroi amerikanëve të mbajnë pula në oborret e tyre si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të vezëve gjatë një interviste në Fox News.

Çmimet e vezëve në Shtetet e Bashkuara janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, nga 3.42 dollarë për dhjetë vezë më 10 janar në 8.03 dollarë më 26 shkurt, sipas të dhënave të Departamentit të Bujqësisë.

Kjo ka qenë e dëmshme për presidentin amerikan, Donald Trump, i cili ka pretenduar se politikat e ish-presidentit Joe Biden kanë shkaktuar rritjen e çmimeve të ushqimeve në prag të zgjedhjeve të vitit 2024.

Rollins foli për çmimet e vezëve gjatë një bisede me prezantuesen e Fox & Friends Weekend, Rachel Campos-Duffy, e cila është e martuar me Sekretarin e Transportit të SHBA-së, Sean Duffy.

“Mendoj se pika e ndritshme në gjithë këtë situatë është si mund ta zgjidhim atë në oborret tona. Edhe ne kemi pula në oborr. Njerëzit shikojnë përreth dhe mendojnë: ‘Wow, ndoshta edhe unë mund të kem pula në oborr – dhe kjo është fantastike’”, tha sekretarja.

Campos-Duffy u pajtua, duke shtuar se “mendoj se kushdo që nuk është fermer në këtë moment dëshiron të bëhet, kështu që ti je në departamentin e duhur, Brooke”.

Sipas Shërbimit të Kërkimeve Ekonomike të Departamentit të Bujqësisë, çmimi i vezëve me pakicë u rrit me 8.4 për qind në muajin dhjetor 2024 dhe 13.8 për qind në janar 2025. Shërbimi parashikon që çmimet e vezëve do të rriten me 41.1 për qind gjatë vitit 2025.

Kjo rritje i atribuohet shpërthimit të gripit të shpendëve me patogjenitet të lartë (HPAI), i cili, sipas USA Today, ka detyruar fermerët të therin rreth 166 milionë shpendë, përfshirë pulat që bëjnë vezë.

Më 26 shkurt, administrata e Trumpit prezantoi një plan prej 1.5 miliard dollarësh për të luftuar rritjen e çmimeve të vezëve, duke përfshirë 500 milionë dollarë për masa biosigurie, 400 milionë dollarë për fermerët e prekur nga HPAI dhe 100 milionë dollarë për kërkime mjekësore dhe vaksinash kundër sëmundjes.

Rollins tha gjithashtu se administrata po negocion për importimin e 70-100 milionë vezëve nga jashtë, por paralajmëroi se çmimet mund të rriten më tej përpara festave të Pashkëve, kur kërkesa zakonisht rritet. /Telegrafi/

Exit mobile version