Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmes një fjalimi i është adresuar popullit amerikan, për herë të parë pas sulmeve të mbrëmshme raketore iraniane kundër bazave ushtarake në Irak, ku janë të stacionuara trupat amerikane.
Ai me këtë rast ka thënë se ka pasur dëme materiale në bazat ushtarake të goditura nga raketat iraniane, por jo edhe viktima apo të plagosur në radhët e amerikanëve.
“Forcat amerikane janë të përgatitura për të gjithë. Nuk ka jetë të humbura për shkak të sistemit të hershëm të paralajmërimit i cili punon shumë mirë”, u shpreh ai.
Trump ka akuzuar Qasem Soleimanin, komandant i përgjithshëm i forcave Kuds iraniane, se është përgjegjës për veprimet e tij, sulmet terroriste kundër popullsisë së pafajshme civile, duke vrarë mijëra trupa përmes bombave të vendosura.
Soleimani është vrarë nga bombardimet e forcave ajrore amerikane javën e kaluar në Bagdad, gjë që nxiti tensionet SHBA- Iran, të cilat kulmuan natën e kaluar përmes sulmeve ajrore iraniane në Irak. /kp/Telegrafi/