Site icon Telegrafi

Trump: Nuk jemi në luftë tregtare me Kinën, kjo luftë ishte humbur vite më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka shkruar në Twitter se SHBA nuk është në luftë tregtare me Kinën dhe “kjo luftë është humbur vite më parë” nga udhëheqësia e kaluar amerikane.

“Ne nuk jemi në një luftë tregtare me Kinën, kjo luftë ishte humbur vite më parë nga njerëzit e pamend ose të paaftë, të cilët përfaqësonin Shtetet e Bashkuara”, tha Trump, përcjell Telegrafi.

Trump tha se SHBA nuk mund të lejojë që deficiti i saj tregtar me Kinën të vazhdojë. Postimi erdhi pasi Kina shpalosi plane për tarifa të reja në 106 produkte amerikane.

Ai dyfishoi pikëpamjen e tij mbi deficitin tregtar në një postim të mëvonshëm, duke thënë se situata aktuale do të thotë që SHBA “nuk mund të humbas”.

Data e zbatimit të tarifave të reja të Kinës do të zbulohet më vonë, ndonëse Ministria e Tregtisë e Kinës, tha se tarifat janë projektuar për të synuar deri në 50 miliardë dollarë në produktet amerikane çdo vit.

Ambasadori i Kinës në SHBA, shpjegoi se vendi i tij po ia kthen masat tregtare të SHBA-së.

“Sigurisht që nuk duam të kemi ndonjë luftë tregtare me askënd, por njerëzit duhet të kuptojnë se kush e ka filluar gjithë këtë”, tha ambasadori Cui Tiankai.

Duke folur përpara njoftimit zyrtar, Tiankai tha se Kina do të përdorë mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në Organizatën Botërore të Tregtisë. /Telegrafi/

Exit mobile version