Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar liderin komunist veri-korean Kim Jong Un gjatë një samiti të Hanoi, se dëshiron të heqë dorë vetëm nga një ose dy nga gjithsej pesë instalimet bërthamore në vend.
“Duke lënë samitin i kam thënë Kim, dhe është shumë e rëndësishme se ai nuk është i gatshëm për marrëveshje, pasi dëshiron të heqë qafe vetëm një ose dy reaktorë nuklearë”, tha Trump për Fox News.
“Koreja e Veriut ka pesë reaktorë nuklearë. E pyeta atë për tre të tjerët. Kjo nuk është mirë, “tha Trump.
Samiti i Hanoi dështoi pasi Trump dhe Kim nuk arritën të kapërcejnë mosmarrëveshjen lidhur me programin e denuklearizimit të Koresë së Veriut dhe heqjen e sanksioneve të SHBA. Qe nga ajo kohë, negociatat dypalëshe kanë ngecur.
Trump vuri në dukje se nuk kishte prova bërthamore dhe testime raketash me rreze të gjatë veprimi gjatë përpjekjeve diplomatike të administratës së tij.
Javët e fundit, Pyongyang ka bërë një seri lëvizjesh delikate pa ndërprerë moratoriumin për testet bërthamore dhe testimit të raketave me rreze të gjatë për të ushtruar presion mbi Uashingtonin, për të treguar fleksibilitet në negociata.
Kim ka vendosur një afat që deri në fund të vitit Shtetet e Bashkuara të gjejnë metodologjinë e duhur për negociata.
Duke iu referuar tensioneve me Iranin, Trump përsëriti vendosmërinë e tij për të mos lejuar që Teherani të ketë armë bërthamore, por theksoi se nuk donte të shkojë në luftë.
“Unë nuk jam dikush që dëshiron të shkoj në luftë, pasi lufta dëmton ekonomitë dhe, më e rëndësishmja, lufta vret njerëzit”, përfundoi Trump. /kp/Telegrafi/