Donald Trump shpalli një sërë emërimesh të reja të administratës amerikane.
Presidenti i zgjedhur po ecën me shpejtësi në procesin e tranzicionit duke zgjedhur njerëzit në pozitat kyçe qeveritare dhe në Shtëpinë e Bardhë.
Ai ka shpallur gjatë mbrëmjes së kaluar një sërë emërimesh në pozicionet kyçe të administratës së re, shkruan cnn.
Jamieson Greer është zgjedhur për të shërbyer si Përfaqësues i Tregtisë së SHBA-së.
Dr. Jay Bhattacharya është zgjedhur për të udhëhequr Institutin Kombëtar të Shëndetësisë (NIH).
Jim O’Neill është zgjedhur si zëvendëssekretar i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.
Vince Haley është zgjedhur për të qenë drejtor i Këshillit të Politikave të Brendshme.
Kevin Hassett është zgjedhur si drejtor i Këshillit Kombëtar Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë.
John Phelan është zgjedhur për të qenë sekretar i Marinës.
Theksojmë se Trump pritet të emërojë edhe disa negociatorë për arritjen e një marrëveshjeje për ndërprerjen e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë si dhe asaj Izrael-Hamas.
Gjenerali në pension, Keith Kellogg raportohet se mund të jetë negociator për arritjen e paqes ukrainaso-ruse. Të njëjtën pozitë është raportuar se mund ta merr Richard Grenell, ish-ambasadori amerikan në Gjermani dhe i dërguari amerikan në dialogun Kosovë-Serbi.
Ndryshe, disa prej të zgjedhurve të republikanit duhet të marrin miratimin në Senatin amerikan, institucion i cili dominohet nga partia republikane. /Telegrafi/