Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka dalë negativ në testin për COVID-19 dhe ai nuk është infektues për të tjerët.
Kështu ka thënë mjeku i Shtëpisë së Bardhë, 10 ditë pasi Trump njoftoi se kishte kontraktuar coronavirusin, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Në një njoftim të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë vetëm disa orë para se Trump të pritej për të rifilluar mbajtjen e tubimeve të fushatës, Dr. Sean Conley tha se presidenti kishte dalë negativ në ditët e njëpasnjëshme.
Conley tha se testet negative dhe të dhëna të tjera klinike dhe laboratorike “tregojnë një mungesë të replikimit viral të zbulueshëm”.
Kështu, ekipi mjekësor i Trump kishte përcaktuar që bazuar në të dhënat dhe udhëzimet nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve “presidenti nuk është infektues për të tjerët”, tha Conley. /Telegrafi/