Telegrafi

Trump në letrën dërguar Thaçit: Ju mirëpres në Shtëpinë e Bardhë për të festuar marrëveshjen, bashkë me Vuçiqin

Në një letër dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, presidenti amerikan Donald Trump, ka kërkuar nga liderët në Kosovë që të shfrytëzojnë këtë moment të cilin ai e ka quajtur unik, të flasin me një zë dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Në këtë drejtim, ndër tjerash Trump, i ka shkruar presidentit Thaçi se SHBA-të janë të gatshme që të ndihmojnë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë.

Lexo po ashtu Trump letër Thaçit: Shfrytëzoni momentin unik për marrëveshje me Serbinë

Madje, siç është thënë tutje, një marrëveshje e tillë është e arritshme.

Dhe për fund, ajo që bie gjithashtu në sy është fakti se Trump ka shkruar se pret që në Shtëpinë e Bardhë të mirëpres presidentin Thaçi dhe homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, për siç ka thënë “të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike”.

Pas kësaj, ka ardhur edhe reagimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai, duke shpërndarë letrën që ka pranuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se liria dhe pavarësia e Kosovës, janë rezultat i luftës sonë të drejtë dhe përkrahjes së aleatëve tanë strategjikë ndërkombëtarë.

Sipas Thaçit, realizimi i synimeve tona për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB është i pamundur pa përkrahjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.

Siç ka thënë Thaçi, Kosova është e bekuar që gëzon mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe të popullit amerikan, ku bashkëpunimi dhe miqësia jonë është e përhershme dhe reciproke.

Lexo po ashtu Thaçi për letrën e Trumpit: Është detyrim t’i përgjigjemi pozitivisht thirrjeve të SHBA-së

Ndërkohë, lidhur me këtë letër, ka ardhur edhe reagimi i parë nga përfaqësues të partive politike në Kosovë.

Ka qenë kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ai që ka vlerësuar se letra e presidentit amerikan, Donald Trump për homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi, shtron rrugën për përfshirjen e thellë të SHBA-ve në procesin e dialogut. /Telegrafi/