Në një letër dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, presidenti amerikan Donald Trump, ka kërkuar nga liderët në Kosovë që të shfrytëzojnë këtë moment të cilin ai e ka quajtur unik, të flasin me një zë dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Në këtë drejtim, ndër tjerash Trump, i ka shkruar presidentit Thaçi se SHBA-të janë të gatshme që të ndihmojnë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë.
Madje, siç është thënë tutje, një marrëveshje e tillë është e arritshme.
Dhe për fund, ajo që bie gjithashtu në sy është fakti se Trump ka shkruar se pret që në Shtëpinë e Bardhë të mirëpres presidentin Thaçi dhe homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, për siç ka thënë “të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike”.
Pas kësaj, ka ardhur edhe reagimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai, duke shpërndarë letrën që ka pranuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se liria dhe pavarësia e Kosovës, janë rezultat i luftës sonë të drejtë dhe përkrahjes së aleatëve tanë strategjikë ndërkombëtarë.
Sipas Thaçit, realizimi i synimeve tona për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB është i pamundur pa përkrahjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.
Siç ka thënë Thaçi, Kosova është e bekuar që gëzon mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe të popullit amerikan, ku bashkëpunimi dhe miqësia jonë është e përhershme dhe reciproke.
Ndërkohë, lidhur me këtë letër, ka ardhur edhe reagimi i parë nga përfaqësues të partive politike në Kosovë.
Ka qenë kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ai që ka vlerësuar se letra e presidentit amerikan, Donald Trump për homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi, shtron rrugën për përfshirjen e thellë të SHBA-ve në procesin e dialogut. /Telegrafi/