Donald Trump, i cili sa ishte president i SHBA-së nxiti kritika për lavdërimin e liderit rus Vladimir Putin, bëri komentin e tij të parë publik për vdekjen e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny.
Siç raporton Reuters, në një postim në rrjetet sociale, Trump duket se nuk fajëson askënd për vdekjen e Navalny, transmeton Telegrafi.
“Vdekja e papritur e Alexei Navalny më ka bërë gjithnjë e më shumë të vetëdijshëm për atë që po ndodh në vendin tonë. Është një progres i ngadalshëm, i qëndrueshëm, me politikanë, prokurorë dhe gjyqtarë të majtë radikalë të pandershëm, që na çojnë në rrugën e shkatërrimit”, ka shkruar Trump.
“Kufijtë e hapur, zgjedhjet e manipuluara dhe vendimet jashtëzakonisht të padrejta të gjykatave po shkatërrojnë Amerikën. Ne jemi një komb në rënie”, shtoi ai.
Presidenti aktual i SHBA, Joe Biden, të premten fajësoi drejtpërdrejt Putinin për vdekjen e Navalny në një burg në veri të Rrethit Arktik.
Rivalja kryesore republikane e Trump, Nikki Haley, fajësoi gjithashtu Putinin. Ish-presidentët dhe anëtarët kryesorë të Kongresit nga të dyja partitë gjithashtu sulmuan Putinin për vdekjen e Navalny. Megjithatë, Trump, favoriti për nominimin e republikanëve, ka qëndruar i heshtur deri më sot. /Telegrafi/