Telegrafi

Trump i ndan medalje Grenellit për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka dekoruar me Medaljen e Sigurisë Kombëtare të dërguarin e tij të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Njoftimin e ka bërë ambasadori Grenell përmes një postimi në rrjetin social Instagram.

“Ambasadori Richard Grenell është nderuar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm që mundësoi nënshkrimin historik të normalizimit të marrëdhënieve ekonomike midis Serbisë dhe Kosovës. Sipas kësaj marrëveshje, Serbia dhe Kosova rivendosën lidhjet e drejtpërdrejta ajrore, hekurudhore dhe autostradën, projektet kryesore të infrastrukturës të nevojshme për të lehtësuar rritjen ekonomike dhe transferimin në kohë të mallrave dhe njerëzve”, ka thënë Trump në vendimin e tij.

Në vendim thuhet po ashtu thuhet se kontributet e Ambasadorit Grenell në arritjen e këtij përparimi historik diplomatik në Serbi dhe Kosovë do të çojnë në një të ardhme më të ndritur për miliona njerëz.

Ndryshe, Grenell ishte emëruar i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi në tetor të vitit 2019, derisa po shërbente si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani ndërsa më 4 shtator 2020 Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike.

Gjatë nënshkrimit të dokumenteve i pranishëm ishte edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.