Një gjykatës federal deklaroi të enjten se urdhri ekzekutiv i presidentit amerikan, Donald Trump që përfundon shtetësinë e lindjes ishte “hap antikushtetues” dhe lëshoi një urdhër të përkohshëm për të ndaluar zbatimin e tij.
Gjykatësi John Coughenour, i emëruar nga Ronald Reagan dhe që ushtron detyrën në Seattle, miratoi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm të Washingtonit, Nick Brown, dhe tre shteteve të tjera të drejtuara nga demokratët për një urdhër emergjent që ndalon zbatimin e politikës për 14 ditët e ardhshme, ndërkohë që priten diskutime të mëtejshme ligjore.
“Kam qenë në këtë detyrë për më shumë se katër dekada. Nuk mund të kujtoj ndonjë rast tjetër ku çështja e paraqitur të ishte kaq e qartë”, tha Coughenour, shkruan cnn.
“Ku ishin avokatët” kur u mor vendimi për të nënshkruar këtë urdhër ekzekutiv, pyeti gjykatësi. Ai theksoi se i “habiste” fakti që një avokat do të pohonte se urdhri ishte kushtetues.
Shtetet e drejtuara nga demokratët kërkojnë një urdhër të përkohshëm, duke argumentuar se urdhri ekzekutiv i Trumpit është një shkelje e hapur e Amendamentit të 14-të të Kushtetutës, i cili garanton shtetësinë për të gjithë fëmijët e lindur në tokën amerikane “dhe që janë nën juridiksionin e saj”.
Fëmijët të cilëve u mohohet shtetësia sipas urdhrit të Trumpit do të përballen me “pasoja të mëdha dhe afatgjata negative”, shtoi ai.
Polozola gjithashtu argumentoi se administrata Trump jo vetëm që injoroi këto dëme në dokumentet që ka paraqitur deri tani, por se duket se dëmi ishte “qëllimi” i këtij urdhri ekzekutiv.
Përtej ndikimit që urdhri i Trump do të ketë mbi banorët e tyre, shteti i Washington-it dhe shtetet e tjera argumentojnë se përfundimi i shtetësisë së lindjes do të ngarkojë financiarisht dhe logjistikisht programet e tyre shtetërore, pasi këta fëmijë do të privohen nga përfitimet federale për të cilat do të kishin të drejtë si shtetas.
Administrata Trump argumenton se klauzola “nën juridiksionin e saj” i jep presidentit të drejtën të përjashtojë fëmijët e emigrantëve pa dokumente dhe madje edhe fëmijët e prindërve që janë të pranishëm ligjërisht, por që nuk kanë status të përhershëm ligjor. /Telegrafi/