Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka incizuar një audio-mesazh për kandidatin republikan për senator, Roy Moore, i akuzuar për sjellje të keqe seksuale.
Presidenti shprehu mbështetje të plotë për ish-gjykatësin e Alabamas, i cili konkurron me demokratin Doug Jones, për ulësen në Senat.
Zgjedhjet e së martës mund të ndryshojnë balancën e pushtetit në Senat, përpara zgjedhjeve afatmesme të Kongresit, vitin e ardhshëm.
Moore i mohon pretendimet e disa grave se ai ka bërë veprime të padëshirueshme seksuale.
Një grua pretendon se ai e ka ngacmuar atë kur ajo ka qenë 14 vjeçe; një tjetër thotë se Moore ka bërë përpjekje ta përdhunojë.
Në një tubim të hënën në mbrëmje, Moore përsëriti mohimet e tij, duke pyetur përse këto gra kanë qenë të qeta për 40 vjet, derisa ai ka drejtuar zyra të ndryshme politike.
Fushata e Moore e shpërndau audio-mesazhin e Trumpit, i cili u tha votuesve se agjenda e tij “do të lëkundet” nëse Moore i humb zgjedhjet.
Fituesi i së martës do të marrë vendin e mbajtur më parë në Senat nga prokurori i përgjithshëm i administratës Trump, Jeff Sessions. /Rel/