Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nuk ka dashur të komentojë gatishmërinë e vendit të tij për të goditur ushtarakisht Korenë Veriore, për shkak të programit të saj nuklear dhe atij raketor, por tha se Uashingtoni do të përcjellë me vëmendje zhvillimet në Pjong-jang.
Ai këto komente i bëri sot pas takimit me homologun e tij polak Adrzej Duda.
I pyetur nga gazetarët nëse është i gatshëm që të godasë ushtarakisht Korenë Veriore, Trump është përgjigjur se ky vend po sillet shumë rrezikshëm dhe se administrata amerikane do të përcjellë nga afër zhvillimet e mëtejme gjatë javëve të ardhshme.
Koreja Veriore së fundi ka lansuar raketën e parë balistike ndërkontinentale, për të cilën Pjong-jangu pohon se mund të godasë territorin amerikan.
Lansimi i raketës verikoreane është dënuar nga vendet e perëndimit dhe është kërkuar nga OKB-ja forcimi i sanksioneve ndaj Koresë Veriore, transmeton KosovaPress.