Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se i ka kërkuar shefit të kompanisë së teknologjisë, “Apple”, Tim Cook, të angazhohet dhe të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës së rrjetit 5G.
“Ata (Apple) i kanë të gjitha: paratë, teknologjinë dhe vizionin”, tha Trump përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Rrjeti 5G paraqet gjeneratën e fundit të qasjes në internet që karakterizohet me një shpejtësi të madhe të shkarkimit.
Kina tashmë ka funksionalizuar rrjetin 5G në 50 qytete, përcjell rel.
Rolin kryesor në zhvillimin e rrjetit 5G në Kinë e ka kompania Huawei, e cila ndodhet në listën e zezë amerikane për shkak të dyshimeve për spiunim të klientëve.
Kina, por edhe Huawei, i kanë mohuar akuzat.
Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje shumë vendeve që të ndalin bashkëpunimin me Kinën në këtë drejtim.
“Kërcënimi për të pasur sisteme kineze të telekomit brenda rrjeteve amerikane, ose brenda rrjeteve në të gjithë botën, paraqet një rrezik të madh, një rrezik të sigurisë kombëtare”, ka deklaruar më 20 gusht, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.