Telegrafi

Trump kërcënon Turqinë me “shkatërrim total të ekonomisë”, nëse i kalon limitet në Siri

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një deklaratë kërcënuese ndaj Turqisë, nëse vendi i udhëhequr nga Recep Tayyip Erdogan kalon kufijtë me ndonjë veprim në verilindje të Sirisë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, deklarata e presidentit amerikan vjen pasi forcat amerikane kanë nisur tërheqjen nga zonat përgjatë kufirit të Sirisë me Turqinë.

Tërheqja e trupave vjen disa orë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se Ankaraja së shpejti do të ecë përpara me objektivin e saj për të krijuar një “zonë të sigurt” në veri të Sirisë dhe që ushtarët amerikanë nuk do të mbështesin ose përfshihen në të.

“Siç e kam shprehur me forcë më parë, dhe thjesht për ta përsëritur, nëse Turqia bën ndonjë gjë që unë e konsideroj si jashtë kufijve, unë do të shkatërroj plotësisht ekonominë e Turqisë. Ata duhet, me Evropën dhe të tjerët, të vëzhgojnë luftëtarët dhe familjet e kapura të ISIS”, ka shkruar Trump.

Presidenti Trump më vonë mbrojti vendimin e administratës së tij për të tërhequr trupat amerikane nga Siria veriore, duke thënë se “kurdët tani do të duhet të kuptojnë situatën”.

Ai tha se ishte shumë e kushtueshme për të vazhduar mbështetjen e forcave aleate të udhëhequra nga kurdët në rajon që luftojnë Shtetin Islamik. /Telegrafi/