Telegrafi

​Trump kërcënon të ndërpresë lidhjet me Pekinin, refuzon të flasë me Xi Jinping

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka forcuar më tej tonin e tij drejt Kinës duke kërcënuar shkëputjen e të gjitha marrëdhënieve për shkak të menaxhimit të krizës me COVID-19 dhe tha se ai nuk dëshiron më të flasë me homologun e tij kinez Xi Jinping.

Trump ka theksuar me javë të tëra që pasojat e rënda të Covid-19, gati 300,000 të vdekur në të gjithë botën, mund të ishin shmangur nëse Kina do të vepronte me përgjegjësi pas shfaqje së virusit në Wuhan.

Në një intervistë për Fox Business të enjten, ai tha se ishte “shumë i zhgënjyer” nga qëndrimi i Pekinit dhe hodhi poshtë idenë për të biseduar direkt me presidentin Xi Jinping për të lehtësuar tensionet.

“Unë duhet të jem në kushte të mira me të, por nuk mund të flas me të për momentin,” tha ai.

I pyetur për masat e ndryshme hakmarrëse që po merrte parasysh, Trump tha se ata mund të bënin shumë, si dhe të përfundonin çdo marrëdhënie.

“Çfarë do të ndodhte nëse e bëmë atë? Ne do të kursenim 500 miliardë dollarë nëse ndërpresim ndonjë marrëdhënie,” theksoi ai.

Senatorët e kampit republikan të Trump të martën propozuan një ligj që do t’i lejonte presidentit të vendosë sanksione ndaj Kinës nëse nuk është plotësisht transparente në lidhje me origjinën e sëmundjes.

Uashingtoni së fundi akuzoi Pekinin për përpjekje për të vjedhur të dhëna nga një studim mbi Covid-19. /kp/Telegrafi/