Presidenti amerikan, Donald Trump, sot ka dalë me një qëndrim të ashpër kundër protestave studentore, duke e bërë të qartë se administrata që drejton nuk do të tolerojë asnjë formë të demonstratave që ai i konsideron të paligjshme.
Siç ka shkruar në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump ka paralajmëruar se “çdo financim federal do të ndërpritet për çdo kolegj, shkollë apo universitet që lejon protesta të paligjshme”.
Ky vendim, sipas tij, synon të parandalojë përhapjen e protestave dhe të ndëshkojë institucionet arsimore që, sipas vlerësimit të tij, nuk veprojnë në përputhje me ligjin.
Ai është shprehur edhe më ashpër ndaj atyre që marrin pjesë në protesta, duke i quajtur ata “agjitatorë” dhe duke paralajmëruar masa të rënda kundër tyre.
“Agjitatorët do të burgosen dhe/ose do të dëbohen përgjithmonë në vendin nga kanë ardhur. Studentët amerikanë do të përjashtohen përgjithmonë ose, në varësi të veprës penale, do të arrestohen”, ka shkruar ai, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë asnjë tolerancë për ata që ai i konsideron si shkelës të ligjit.
Në fund të deklaratës, Trump ka shtuar një detaj tjetër, duke theksuar me shkronja të mëdha “Pa maska!” Kjo frazë mund të interpretohet si një kundërshtim ndaj përpjekjeve për t’u fshehur pas maskave gjatë protestave, ose si një qëndrim simbolik kundër anonimitetit në demonstrata.
“Faleminderit për vëmendjen në këtë çështje”, ka përfunduar ai, duke sinjalizuar se kjo është një temë me rëndësi të veçantë për të dhe për politikën e tij. /Telegrafi/