Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump kërcënoi me ndërprerjen e fondeve ndaj vendeve që përpiqen të votojnë në OKB një rezolutë, duke dënuar njohjen nga ana e Uashingtonit të Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.
“Ne do të mbajmë shënim këto vota”, u shpreh ai nga Shtëpia e Bardhë, duke dënuar të gjithë këto shtete që marrin paratë tona dhe më pas votojnë kundër nesh në Këshillin e Sigurimit apo në Asamblenë e Përgjithshme.
“Ata marrin qindra milionë dollarë dhe ndoshta miliarda dollarë dhe më pas votojnë kundër nesh”, u shpreh ai me rastin e një takimi në prani të kabinetit.
“Lërini të votojnë kundër nesh, ne do të kursejmë shumë”, shtoi ai, para se të falënderonte ambasadoren amerikane në OKB, Nikki Haley, për iniciativën e saj në këtë çështje.
Në një letër drejtuar ambasadorëve në OKB të disa vendeve, përcjell bw, Haley siguroi se presidenti i kishte kërkuar për të parë me kujdes këtë votim, duke thënë se do të mbante shënime.
Ministri palestinez i Punëve të Jashtme, Riyad al-Malki akuzoi sot Uashingtonin se po ushtron “kërcënime” dhe “intimidime” për të penguar anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të dënuar politikën e tij.