Site icon Telegrafi

Trump “kapet” duke bërë atë që e tha me gojë – fjalën “virusi corona” e zëvendëson me “virusi kinez”

Presidenti amerikan, Donald Trump, të enjten është fotografuar duke lexuar disa nga shënimet për konferencën e përditshme të task-forcës kundër coronavirusit, ku fjalën “virusi corona” e ka fshirë duke e zëvendësuar me “virusi kinez”, për të përshkruar COVID-19.

Një foto të tillë, siç shkruan NBCNews, përcjell Telegrafi, e ka bërë një fotograf i mediumit prestigjioz Washington Post.

Një fotografi e tillë del ndërsa Trump ka rrumbullakuar përshkrimin e tij të coronavirusit si një “virus kinez” pasi është marrë në pyetje nëse ai e konsideron një etiketim të tillë si raciste.

“Nuk është aspak raciste”, u tha Trump gazetarëve të mërkurën. “Ai (virusi) vjen nga Kina, kjo është arsyeja pse”.

Ndërkohë thuhet se ka pasur kritika të konsiderueshme në publik për këtë term, për të cilin kritikët thonë se do të ndezte ndjenjën anti-aziatike.

John C. Yang, president dhe drejtor ekzekutiv i Aziatiko-Amerikanëve ka thënë se përdorimi i termit nga Trump mund të ketë një ndikim të rrezikshëm.

Ndërsa zyrtarët e administratës kanë mbrojtur termin duke theksuar se qeveria kineze në javët e fundit ka provuar të fajësojë SHBA-në për virusin, i cili kishte origjinën në rajonin Wuhan të Kinës.

Që nga viti 2015, Organizata Botërore e Shëndetit ka paralajmëruar që të mos jepen etiketime gjeografike ose kombëtare në mënyrë që “të minimizohen efektet e panevojshme negative mbi kombet, ekonomitë dhe njerëzit”.

Madje thuhet se disa etiketime të spikatura gjeografike ose kombëtare nga e kaluara e pandemive, si Gripi Spanjoll, kanë qenë të gabuara. /Telegrafi/

Exit mobile version