Telegrafi

Trump: Jam nisur për në Uashington, atje do të më arrestojnë

Donald Trump njoftoi pak çaste më parë se po shkon drejt Uashingtonit, ku pritet të arrestohet dhe të paraqitet në gjykatë me akuzat se është përpjekur për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 që shkaktoi sulme ndaj Kongresit amerikan më 6 janarit të vitit 2021.

Në momentet e fundit, ish-presidenti amerikan publikoi një mesazh në Truth Social, platformën sociale që e themeloi pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

“Tani po shkoj në Uashington, D.C. për t’u arrestuar pasi kundërshtova zgjedhjet e manipuluara dhe të vjedhura. Është një nder i madh sepse do të arrestohem për ju. Le ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”, shkroi ai në Truth Social.

“Më duhet edhe një aktakuzë për të siguruar fitoren në zgjedhje”, deklaroi republikani pak para se të largohej nga shtëpia e tij në New Jersey, raporton cnn.

Lexo po ashtu Trump sot do të përballet me arrestimin e tretë në katër muaj - çfarë pritet të ndodh me ish presidentin amerikan

Trump ka hedhur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024, ku fillimisht duhet ta fitojë garën brenda partisë republikane.

Sondazhet mes mbështetësve të Partisë Republikane sugjerojnë se ai është shumë përpara rivalëve të tij në garë, duke përfshirë ish-zëvendëspresidentin, Mike Pence dhe guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis.

Ndryshe, ky do të jetë arrestimi i tretë i Trump-it në katër muaj. Smith e akuzoi në muajin qershor në lidhje me dërgimin në shtëpi të dokumenteve të klasifikuar.

Në muajin mars, një Juri e Madhe në Manhattan e akuzoi ish-presidentin për mashtrim në biznes. /Telegrafi/