Telegrafi

Trump ishte infektuar me COVID-19 disa ditë para debatit me Bidenin, zbulon shefi i stafit të ish-presidentit amerikan

Donald Trump ishte infektuar me COVID-19 tre ditë përpara debatit të parë me Joe Bidenin, ka zbuluar në një libër të ri shefi i katërt dhe i fundit i kabinetit të ish-presidentit.

Mark Meadows shkruan gjithashtu se megjithëse e dinte se çdo kandidati duhej “të testohej negativisht për virusin brenda shtatëdhjetë e dy orëve nga koha e fillimit të debatit… Asgjë nuk do ta ndalonte [Trump] të dilte atje”.

Në një deklaratë të mërkurën, Trump i quajti pretendimet e Meadowsit, “Lajme të rreme”, raporton theguardian.

Pavarësisht se presidenti dukej “pak i lodhur” dhe dyshonte për një “ftohje të lehtë”, Meadows thotë se ishte “i kënaqur” që Trump udhëtoi atë mbrëmje në një tubim në Middletown, Pensilvani.

Meadows tha se gjersa Marine One u ngrit për fluturim, thirri mjeku i Shtëpisë së Bardhë,  transmeton Telegrafi.

“Ndalojeni presidentin të largohet”, kujton Meadows teksa i kishte thënë Sean Conley. “Ai sapo doli pozitiv për COVID-19”.

“Zoti President”, i ishte drejtuar Meadows, “Kam një lajm të keq. Ju keni dalë pozitiv për COVID-19”, por që republikani nuk e mori seriozisht dhe vazhdoi me itinerarin e paracaktuar.

Ndryshe, tre ditë më vonë, më 2 tetor, Trump njoftoi përmes një mesazhi në Twitter se ai dhe gruaja e tij, Melania Trump, ishin pozitivë për coronavirus. /Telegrafi/