Site icon Telegrafi

Trump informohet me krerët ushtarakë mbi mundësitë përballë Phenianit

Presidenti amerikan, Donald Trump shqyrtoi sot me ministrin e tij të Mbrojtjes, James Mattis dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Joe Dunford sasinë e mundësive që ka në dispozicion SHBA-ja përballë Koresë së Veriut, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

“Ky takim u përqendrua mbi gamën e opsioneve për t’iu përgjigjur çdo forme agresioni të Koresë së Veriut dhe nëse janë të mjaftueshme për të penguar Phenianin të kërcënojë SHBA-në dhe aleatët e saj me armët bërthamore”, deklaroi presidenca amerikane në një komunikatë.

Trump kishte pohuar në një mesazh enigmatik të publikuar të shtunën në “Twitter” se “vetëm një gjë do të funksionojë me Korenë e Veriut”.

Më pas ai kishte shkruar gjithashtu se “presidentët dhe administratat e tyre flasin me Korenë e Veriut që prej 25 vitesh. Marrëveshjet e kaluara dhe shumat masive të parave të hedhura nuk kanë pasur efekt”.

“Marrëveshjet janë shkelur para se boja të thahet. Më vjen keq, por ka vetëm një gjë që mund të funksionojë”, kishte përfunduar miliarderi amerikan, pa dhënë detaje.

Exit mobile version