Gjykata e Lartë e SHBA-së ka hedhur poshtë një kërkesë të presidentit, Donald Trump për të bllokuar një zgjatje të afatit të numërimit të votave në Karolinën e Veriut.
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë mbështetur një marrëveshje të miratuar nga një gjykatë më e ulët që lejon një zgjatje, duke refuzuar kështu një kërkesë të kampit republikan për të ndaluar numërimin.
Komiteti shtetëror i zgjedhjeve, duke përmendur vonesat e mundshme në dërgimin me postë në SHBA, vendosi të lejojë që fletët e votimit që mungojnë të numërohen në mungesë nëse ato mbërrijnë nëntë ditë më vonë, raporton newsweek.
Gjykatësit konservatorë, Clarence Thomas, Samuel Alito dhe Neil Gorsuch thanë se ata do të bllokonin zgjatjen, ndërsa Gorsuch dha një mendim të veçantë se ndryshimet në minutën e fundit të rregullave nga komiteti shtetëror i zgjedhjeve mund të “shkaktojë konfuzion, të rrezikojë ndryshimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe të rrezikojë besimin e votuesve në rezultate”.
Theksojmë se Trumpi e kishte përshkruar votimin me postë, e cila është një praktikë e zakonshme në zgjedhjet e SHBA-së, si “manipulim”, ndërsa ekspertët thanë se një mashtrim i tillë është jashtëzakonisht i rrallë në Shtetet e Bashkuara.
Ndryshe, republikani Trump do të ballafaqohet me kundër kandidatin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit (e martë). /Telegrafi/