Site icon Telegrafi

Trump habit me thirrjen drejtuar mbështetësve të tij: “Dilni dhe votoni, pasi nuk do t’iu duhet ta bëni më”

Donald Trump ka ndezur alarmin mes kritikëve të tij pasi i tha një turme mbështetësish se nuk do të “duhet të votojnë përsëri” nëse e kthejnë atë në presidencë në zgjedhjet e nëntorit.

“Të krishterë, dilni dhe votoni! Vetëm këtë herë – nuk do të duhet ta bëni më”, tha ish-presidenti republikan në një tubim të organizuar në West Palm Beach, Florida, nga grupi mbrojtës i ekstremit të djathtë, Turning Point Action.

“E dini çfarë? Do rregullohet! Do të jetë mirë. Nuk do të duhet të votoni më, të krishterët e mi të bukur”, shtoi ai.

Në atë moment, me një tundje të lehtë të kokës dhe dorën e djathtë të vendosur në anën e majtë të gjoksit, Trump tha: “Unë nuk jam i krishterë”.

Ai shtoi: “Dilni, duhet të dilni dhe të votoni. Në katër vjet, nuk keni pse të votoni më. Do ta rregullojmë kaq mirë, nuk do të duhet të votoni”.

Bëhet e ditur se vërejtjet e Trumpit u pritën menjëherë me habi në disa qarqe politike, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Avokati kushtetues dhe i të drejtave civile, Andrew Seidel, iu përgjigj videos së komenteve të Trumpit që po qarkullon në X duke shkruar: “Ky nuk është nacionalizëm i krishterë. Ai po flet për përfundimin e demokracisë sonë dhe instalimin e një kombi të krishterë”.

Aktori Morgan Fairchild shtoi në një postim të veçantë: “Por, çka nëse dua të votoj përsëri? Kjo është Amerika”.

Dhe komentatorja ligjore e NBC-së, Katie Phang, tha: “Me fjalë të tjera, Trump nuk do të largohet kurrë nga Shtëpia e Bardhë nëse rizgjedhet”.

Lexo po ashtu Çfarë rikthimi i Donald Trumpit - Dikur e quante 'plehër' Bitcoin, tani do të flas në konventën më të madhe të kriptovalutave

Komentet e Trumpit erdhën disa muaj pasi ai tha se do të ishte “një diktator në ditën e parë” nëse zgjidhej përsëri president.

Ai vazhdimisht e ka bërë të njohur admirimin e tij për liderët autoritarë, duke përfshirë Vladimir Putinin e Rusisë, Viktor Orban të Hungarisë dhe Kim Jong-un e Koresë së Veriut.

Ndërkohë, Projekti 2025 i Fondacionit Konservator Heritage ka plane të detajuara për të ndjekur armiqtë aktualë dhe të përceptuar të Trump – qofshin politikanë apo burokratë – nëse ai do të rizgjedhet.

Ekspertët e autoritarizmit paralajmërojnë publikun që ta marrë seriozisht Trumpin kur ai flet në atë mënyrë.

Dhe përpara se Joe Biden të ndalonte fushatën e tij më 21 korrik dhe të miratonte Kamala Harris si kandidate, presidenti demokrat vazhdimisht u përpoq ta portretizonte Trumpin si një kërcënim ekzistencial për demokracinë amerikane.

Një sondazh i publikuar nga rrjeti Fox News, miqësor me republikanët, tregoi se Trump është në një garë të ngushtë me zëvendëspresidenten Harris, në shtetet kyçe që mund të vendosin zgjedhjet e nëntorit. /Telegrafi/

Exit mobile version