Presidenti amerikan Donald Trump tha se “Gjermania i bën pagesa në nivel të lartë Rusisë për energjinë dhe për këtë arsye ajo është një rob i Rusisë”.
Trump në kuadër të Samitit të NATO-së në një mëngjes pune me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, ka bërë disa kritika për mos rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga Gjermania dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë për energjinë.
“Flitet se Evropën duhet ta ruajmë nga Rusia. Atëherë përse vendet e NATO-së i paguajë Rusisë miliarda dollarë për energjinë?”, deklaroi Trump, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Ai tha se është “shumë e papërshtatshme” që Gjermania të zhvillojë marrëveshje për naftën dhe gazin me Rusinë.
“Gjermania i bën pagesa në nivel të lartë Rusisë për energjinë. Për këtë arsye Gjermania është një rob i Rusisë”, tha ai.
Trump ka rikujtuar se Gjermania ka siguruar edhe një marrëveshje për linjën e një tubacioni gazi me Rusinë dhe thotë se në këtë mënyrë Rusia falë gazit natyror do të kontrollojë 70 për qind të Gjermanisë.
“Vendet aleate të NATO-së jo brenda 10 vitesh por ‘menjëherë’ duhet të rritin shpenzimet e mbrojtjes. Kjo është e papranueshme. Ne e mbrojmë Gjermaninë, Francën i mbrojmë të gjithë. Paguajmë shumë para. Dhe kjo ka vazhduar për shumë vite. Edhe presidentët e tjerë të SHBA-ve e kanë shtruar këtë çështje në rend dite por asnjëri prej tyre nuk ka bërë ndonjë gjë. Ose nuk e kanë kuptuar ose nuk kanë dashur të ndërhyjnë. Por, për vendin tonë kjo është një padrejtësi e madhe”, theksoi ai.
Trump më tej shtoi se kryesisht shpenzimet e Gjermanisë janë në nivel shumë të ulët.
“Gjermania është një vend shumë i pasur. Ajo mund të rrisë shpenzimet në moment, menjëherë nesër dhe nuk shkakton asnjë problem”, potencoi Trump. /Telegrafi/