Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se nëse Kina nuk do ta zgjidhë problemin e Koresë së Veriut, SHBA do ta bëjë.
“Kina ka ndikim të madh mbi Korenë e Veriut”, i tha Trump gazetës britanike Financial Times. “Nëse Kina nuk na ndihmon, nuk do të jetë mirë për askënd”, shtoi ai.
I pyetur nëse mendon se mund të ketë sukses vetëm, Trump tha “plotësisht”.
Trump, të enjten, do të presë në Florida presidentin e Kinës, Xi Jinping.
Samiti i tyre dyditor padyshim se do të përqendrohet në Korenë e Veriut dhe programin e saj bërthamor. Kërcënimet dhe sanksionet kanë dështuar të pengojnë përpjekjet e Phenjanit për t’u bërë fuqi e armatosur bërthamore.
Ekspertët amerikanë paralajmërojnë se Koreja e Veriut po planifikon provën e gjashtë bërthamore, transmeton Rel.
Zëvendësja e këshilltarit të Trumpit për siguri kombëtare, K.T. McFarland, i tha po ashtu gazetës Financial Times se është e mundshme që Koreja e Veriut të ketë kapacitet për të goditur SHBA-në me raketë bërthamore deri në fund të administratës Trump, më 2021.
Duke folur për televizionin ABC, ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se është koha që Kina “të ndalojë së bëri justifikime, duke thënë se edhe ajo është e shqetësuar”.
“Duhet të na tregojë se sa e shqetësuar është. Duhet t’i bëjë presion Koresë së Veriut. Vendi i vetëm që mund të ndalojë Korenë e Veriut është Kina”, tha Haley.
Kina, e cila është aleatja e vetme ndërkombëtare e Koresë së Veriut, ka ndërmarrë disa veprime pas testeve të fundit bërthamore që ka bërë Phenjani.
Në muajin shkurt, ajo ka ndaluar të gjitha importet nga Koreja e Veriut, deri në fund të vitit 2017, duke i prerë Phenjanit një burim të madh të të ardhurave.
Trump pritet t’i bëjë presion homologut kinez që të bëjë edhe më shumë se kaq dhe la të kuptohet se çështja e tregtisë mund të jetë njëri nga mjetet.
Trump i tha gazetës Financial Times se “tregtia është stimul. E gjitha ka të bëjë me tregtinë”.
Analistët thonë se Kina e ka ruajtur mbështetjen për Phenjanin, pasi druan se rënia e regjimit veri-korean mund të çojë në bashkimin e Koreve, ku ushtarët amerikanë do të ishin të pozicionuar në një vend me kufi tokësor me Kinën.
Mendohet se Kina është e shqetësuar edhe për mundësinë që miliona refugjatë veri-koreanë të kalojnë kufijtë e saj.