Site icon Telegrafi

Trump ftesë udhëheqësve të Kongresit për mbylljen e qeverisë

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka ftuar udhëheqësit demokrat e republikan të Kongresit në atë që Shtëpia e Bardhë e quan “takim mbi sigurinë kufitare”, të mërkurën, derisa mbyllja e pjesshme e qeverisë ka hyrë në ditën e 12-të.

Udhëheqësi i shumicës në senat, Mitch McConnell, pritet të marr pjesë në takim. Nuk është e qartë nëse udhëheqësi i pakicës në senat, Chuck Schumer, apo demokratja Nancy Pelosi, e cila do të marrë detyrën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, do të jenë në takim, apo nëse palët do të shfrytëzojnë takimin për të negociuar planet për rihapjen e qeverisë.

Demokratët do të kenë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, kur Kongresi do të hapet të enjten dhe zonja Pelosi planifikon të hedhë në votim projekt-buxhetin e demokratëve që parashikon fonde për të financuar pjesën më të madhe të agjencive deri në fund të shtatorit, ndërsa për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, deri më 8 shkurt.

Ligjet e propozuara nga demokratët nuk përfshijnë 5 miliardë dollarët për murin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës të kërkuara nga presidenti Trump. Demokratët në të kaluarën kishin ofruar një fond prej 1.3 miliardë dollarësh për masa të tjera të sigurisë kufitare.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha të martën vonë në një deklaratë se plani i demokratëve “dështon të sigurojë kufirin dhe vë nevojat e vendeve të tjera mbi nevojat e qytetarëve tanë”.

Zonja Pelosi dhe zoti Schumer kanë hedhur poshtë planin e presidentit Trump për murin si “të shtrenjtë dhe joefektiv” dhe thonë se presidenti duhet të hartojë një plan që ka një shans për të kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.

Para takimit të mundshëm, presidenti Trump dhe zonja Pelosi këmbyen komente të martën në rrjetin social twitter.

“Siguria e Kufirit, çështja e murit dhe mbylla e qeverisë, nuk janë pika prej nga Nancy Pelosi do të donte të fillonte punën si kryetare! Le të bëjmë një marrëveshje? ” shkroi ai.

Zonja Pelosi u përgjigj se presidenti Trump “u ka dhënë demokratëve një mundësi të madhe për të treguar se si do të qeverisim me përgjegjësi dhe shpejtësi për të kaluar planin tonë për t’i dhënë fund mbylljes që papërgjegjshme të qeverisë nga Trumpi”.

Mbyllja e pjesshme e qeverisë ka prekur 380 mijë punonjës federal, të cilët nuk mund të shkojnë në punë, ndërsa 420 mijë të tjerë vazhdojnë punën, por mund të mos paguhen në kohë deri kur të zgjidhen mosmarrëveshjet mes palëve. /tch/

Exit mobile version