ABC News ka rënë dakord t’i paguajë 15 milionë dollarë presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për të zgjidhur një padi për shpifje, pasi prezantuesi i mediumit tha në mënyrë të rreme se Trump ishte gjetur “përgjegjës për përdhunim”.
George Stephanopoulos i bëri deklaratat shpifëse në mënyrë të përsëritur gjatë një interviste më 10 mars të këtij viti, kur ai sfidoi një kongresmene për mbështetjen e saj për Trumpin.
Por, një juri në një çështje civile vitin e kaluar përcaktoi se Trump ishte përgjegjës për “abuzim seksual”, i cili ka një përkufizim specifik sipas ligjit të New Yorkut, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Si pjesë e marrëveshjes, ABC do të publikojë edhe një deklaratë ku shpreh “keqardhjen” e saj për deklaratat e Stefanopulos.
Rrjeti gjithashtu ra dakord të paguante 1 milion dollarë për tarifat ligjore të Trumpit.
Bëhet e ditur se në vitin 2023, një gjykatë e New Yorkut gjeti se Trump kishte abuzuar seksualisht me E. Jean Carroll në një dhomë zhveshjeje në një dyqan në 1996.
Gjykatësi Lewis Kaplan tha se përfundimi i jurisë ishte se Carroll nuk kishte arritur të provonte se Trump e përdhunoi atë.
Kaplan vuri në dukje se përkufizimi i përdhunimit ishte “shumë më i ngushtë” sesa përkufizohet në gjuhën e zakonshme moderne, në disa fjalorë dhe në statute penale. /Telegrafi/