Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur qëndrimin e Shqipërisë lidhur me influencën e Kinës sa i përket përhapjes së rrjetit 5G në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mesazhi ka mbërritur nga Presidenti Donald Trump në adresë të Kryeministrit Rama, përmes një letre të publikuar nga vetë kreu i qeverisë.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falënderoj Juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit. Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë”.
Në vijimësi të këtyre qëndrimeve, Presidenti Trump i kërkon Shqipërisë të dalë nga formati kinez 17 + 1, një platformë ekonomike që përfshin Kinën dhe 17 vende të Europës Qëndrore e Lindore, raporton TV Klan.
“Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni”.
Presidenti Trump vlerëson edhe mbështetjen e Kryeministrit Rama për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë e Kosovës, për mbëshetjen e paktit për normalizimin e marrëdhenieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe i kërkon të zhvendosë ambasadën shqiptare nga Tel Avivi në Jeruzalem.
“Unë dua t’ju falenderoj që e keni mbështetur normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë. Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem”.
Letra e kreut të Shtëpisë së Bardhë është komentuar edhe nga amabasadorja amerikane, Yuri Kim e cila e vlerëson atë si përforcim të marrëdhenieve të ngushta mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.