Donald Trump ka propozuar ish-drejtoreshën ekzekutive të WWE, për pozicionin e Sekretares së Arsimit.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve ka emëruar Linda McMahon, bashkëthemeluese e promovimit të mundjes WWE (World Wrestling Entertainment), si drejtuesen e Departamentit të Arsimit, raporton cnn.
“Linda do të përdorë dekadat e saj të eksperiencës në udhëheqje dhe kuptimin e thellë të arsimit dhe biznesit, për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme të studentëve dhe punonjësve amerikanë, dhe për ta bërë Amerikën numër 1 në arsim në botë”, tha 78-vjeçari.
Donald Trump has nominated former WWE CEO Linda McMahon for the position of Secretary of Education
The elected U.S. president plans to appoint Linda McMahon, co-founder of the wrestling promotion WWE (World Wrestling Entertainment), as the head of the Department of Education,… pic.twitter.com/IEwbca1nqJ
— NEXTA (@nexta_tv) November 20, 2024
Gjatë mandatit të parë të republikanit, McMahon shërbeu si Administratore e Administratës së Bizneseve të Vogla.
Më pas, ajo u bë kryetare e bordit të institutit të mendimit “America First Policy Institute”.
McMahon ka kandiduar dy herë pa sukses për Senatin e SHBA-ve në Connecticut, duke humbur në vitet 2010 dhe 2012.
Ajo financoi vetë këto fushata, duke shpenzuar 50.1 milionë dollarë në 2010 dhe 48.7 milionë dollarë në 2012, sipas Open Secrets, organizatë jofitimprurëse që ndjek financimin e fushatave. Trump dhuroi 5000 dollarë për fushatën e saj të vitit 2012.
McMahon vetë është një donatore e madhe e Partisë Republikane. Gjatë fushatës së parë të Trumpit për president, McMahon dhuroi më shumë se 7 milionë dollarë për dy super PAC-e pro-Trump. /Telegrafi/