Donald Trump ka emëruar ekzekutivin e industrisë së naftës dhe gazit, Chris Wright, si udhëheqës të Departamentit të Energjisë së SHBA-së.
Bëhet e ditur se ai pritet të përmbushë premtimin e presidentit të zgjedhur për të rritur prodhimin e karburanteve fosile.
Wright është themeluesi dhe CEO i Liberty Energy, e cila u shërben kompanive që nxjerrin naftë dhe gaz, në një proces të quajtur “fracking”.
Trump deklaroi: “Si Sekretar i Energjisë, Chris do të jetë një lider kyç, duke nxitur inovacionin, duke shkurtuar burokracinë dhe duke sjellë një Epokë të re të Artë të Prosperitetit Amerikan dhe Paqes Globale”.
Wright është skeptik ndaj ndryshimeve klimatike, i cili më parë tha se nuk i intereson se nga vjen energjia, “për sa kohë që është e sigurt, e besueshme, e përballueshme dhe përmirëson jetën e njerëzve”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Në një video të postuar në profilin e tij në LinkedIn vitin e kaluar, ai tha: “Nuk ka krizë klimatike dhe ne nuk jemi as në mes të një tranzicioni energjetik”.
Siç raportohet, Wright do të emërohet gjithashtu në një Këshill të ri të Energjisë Kombëtare.
Këshilli do të mbikëqyrë “rrugën drejt dominimit të energjisë së SHBA-së duke shkurtuar burokracinë dhe duke rritur investimet e sektorit privat në të gjithë sektorët e ekonomisë”.
Ndryshe, emërimi i Wright konsiderohet fitore për industrinë e karburanteve fosile, e cila pret një bum nën administratën e ardhshme.
Trump është zotuar të rrisë prodhimin e lëndëve djegëse fosile në SHBA në vend që të investojë në burime të rinovueshme të energjisë si energjia e erës.
Presidenti i zgjedhur është zotuar edhe të hapë zona të tilla si shkretëtira e Arktikut për shpimet e naftës, të cilat ai argumenton se do të ultnin kostot e energjisë. /Telegrafi/