Donald Trump ka emëruar Charles Kushner, babain e dhëndrit të tij, për të shërbyer si ambasador i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Francë.
Ky emërim ka tërhequr vëmendje, duke pasur parasysh lidhjet e ngushta familjare dhe historinë e Kushner si një figurë kyçe në industrinë e pasurive të paluajtshme.
Në një postim në Truth Social, Trump e ka lavdëruar Charles Kushner si një lider të suksesshëm biznesi, filantrop dhe tregtar, duke theksuar përvojën e tij të pasur në industrinë e pasurive të paluajtshme, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
“Charles është themeluesi dhe kryetari i kompanive Kushner, një nga kompanitë më të mëdha dhe më të suksesshme private të pasurive të paluajtshme në vend,” shkroi Trump.
Ai gjithashtu theksoi se Kushner ka qenë i njohur për kontributet e tij, duke u nderuar me çmimin e Sipërmarrësit të Vitit në New Jersey nga Ernst & Young.
Për më tepër, ai është emëruar në Këshillin e Përkujtimit të Holokaustit në SHBA dhe ka shërbyer si Komisioner dhe Kryetar i Autoritetit Portual të New Yorkut dhe New Jerseyt.
Kushner ka pasur gjithashtu një rol të rëndësishëm në bordet e disa institucioneve të njohura, përfshirë Universitetin e New Yorkut (NYU).
Pavarësisht këtij suksesi në karrierën e tij të biznesit, Kushner ka një histori të veçantë ligjore.
Ai u dënua në vitin 2004 për akuza federale dhe u burgos për dy vjet.
Në vitin 2020 u fal nga Trumpi. /Telegrafi/