Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të martën që të godasë më shumë tarifa për Kinën nëse përpjekjet për të arritur një marrëveshje tregtare me Pekinin dështojnë.
Dy ekonomitë më të mëdha në botë arritën një armëpushim tregtar 90-ditor të shtunën pasi Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping u takuan në samitin e G-20 në Argjentinë.
Kështu, në një seri të postimeve në Twitter të martën në mëngjes, presidenti tregoi optimizëm në arritjen e një “marrëveshje të drejtë”, por theksoi se ai është “Njeriu i tarifave” nëse bisedimet dështojnë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, administrata Trump ka kërkuar ndryshime në marrëdhëniet e saj tregtare me Kinën për të rregulluar atë që quan abuzime tregtare.
Pas konfuzionit të hënën rreth asaj se kush do të kryesonte bisedimet me Kinën, Trump sugjeroi të martën se Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-ve, Robert Lighthizer do të marrë rolin udhëheqës, duke punuar ngushtë me Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin, këshilltarin ekonomik Larry Kudlow, sekretarin e tregtisë Wilbur Ross dhe këshilltarin tregtar Peter Navarro.
Në një postim në Twitter, presidenti amerikan ka thënë se këshilltarët e tij do të punojnë për të “parë nëse një marrëveshje reale me Kinën është në të vërtetë e mundur”.
“Nëse është, ne do ta bëjmë atë … Presidenti Xi dhe unë dëshirojmë që kjo marrëveshje të ndodhë dhe ndoshta do të ndodhë”, tha ai. /Telegrafi/