Site icon Telegrafi

Trump e përfundon në mënyrë të pazakontë një tubim – Harris shpreson se ai është mirë

Një tubim parazgjedhor i kandidatit republikan, Donald Trump në godinën e bashkisë në periferi të Filadelfia u shndërrua në një koncert të improvizuar.

Trump në fillim të takimit iu përgjigj pyetjeve, por u detyrua të ndalojë kur një mjek e nxori nga dhoma një person që kishte probleme shëndetësore.

Shpejt, një tjetër vizitor pësoi një krizë, çka ndaloi sërish diskutimin që e moderonte Kristi Noem, guvernatorja e Dakotës së Jugut. Pas kësaj, Trumpi vendosi se nuk do të përgjigjej më asnjë pyetjeje, shkruan associatedpress.

Trump dhe Noem u pajtuan se ishte nxehtë në dhomë dhe republikani pyeti nëse kishin ajër të kondicionuar. “Ata ndoshta nuk mund ta përballojnë, zotëri, në këtë ekonomi”, tha me shaka Noem.

Gjatë ndërprerjes së parë për shkak të ndërhyrjes mjekësore, Trump kërkoi që të luhej kënga “Ave Maria” dhe u luajt një version instrumental i këngës. Gjatë ndërprerjes së dytë ai tha se kishte menduar për versionin që kishte kënduar këngëtari operistik italian, Luciano Pavarotti. Atëherë u luajt versioni i këngës që ai kishte kërkuar.

“Këta dy që u ndjenë keq janë atdhetarë. Ne i duam ata. Dhe për ta kemi marrë muzikë të shkëlqyer, apo jo?”, tha Trump. Ai sugjeroi që takimi të përfundojë duke dëgjuar muzikë, në vend që ai të vazhdonte të përgjigjej në pyetje.

“Le të mos bëjmë më pyetje. Thjesht të dëgjojmë muzikë… Kush, në emër të Zotit, dëshiron të dëgjojë pyetje?”, pyeti 78-vjeçari, i cili kërkoi që të luhej kënga “YMCA” nga grupi Village People.

Kënga u lëshua shpejt përmes altoparlantëve, që ishte sinjal i zakonshëm se Trumpi kishte përfunduar dhe po përgatitej të largohej. Megjithatë, këtë herë ai qëndroi në skenë. “Askush nuk largohet. Çfarë po ndodh?”, pyeti Trump. Muzika nuk ndaloi për gati 40 minuta.

Trump këndoi dhe dirigjoi me Nothing Compares 2 U nga Sinead O’Connor, November Rain nga Guns N’ Roses dhe versionin e Rufus Wainwright të këngës Hallelujah. Disa vizitorë e lanë takimin para përfundimit zyrtar, por disa qëndruan deri në fund.

Në fund, Trump u largua nga skena ndërsa luhej kënga “Memory” nga mjuzikli Cats. Zëdhënësi i Trumpit, Steven Cheung, shkroi në X se “po ndodh diçka shumë speciale në Pensilvani”, duke shtuar se Trump është “ndryshe nga çdo politikan tjetër në histori, dhe kjo është e shkëlqyer”.

Ndryshe, kundërshtarja e republikanit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Kamala Harris ka reaguar përmes rrjeteve sociale se “shpresoj se ai është mirë”. /Telegrafi/

Exit mobile version