Site icon Telegrafi

Trump konfirmoi zyrtarisht që SHBA-ja kreu sulm kibernetik ndaj Rusisë në vitin 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump, e konfirmoi për herë të parë që SHBA-ja kreu një sulm kibernetik në vitin 2018, kundër Agjencisë Ruse të Kërkimit në Internet.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Agjencia e Kërkimit në Rusi është një grup i cili u fajësua nga SHBA-ja për ndërhyrjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Trump e konfirmoi këtë deklaratë gjatë një interviste me një kolumnist të gazetës The Washington Post.

Marc Thiessen shkruan se gjatë intervistës së tij ai e pyeti Trumpin nëse ky i fundit kishte kryer një sulm kibernetik. Thiessen ndërkohë tha se Trump u përgjigj me “e saktë”.

The Washington Post në muajin tetor të vitit 2018, raportoi për një sulm kibernetik, operacioni i cili u krye me qëllim të parandalimit të çdo ndërhyrjeje të ardhshme, thuhej në gazetë.

Ky është konfirmimi i parë zyrtar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Në intervistë, ai shtoi se sulmi kibernetik ishte pjesë e një politike më të gjerë, e cila kishte synimin të ballafaqohej me Rusinë.

“Askush nuk ka qenë më i ashpër me Rusinë se sa unë”, i tha Trump gazetarit Thiessen. /Telegrafi/

Exit mobile version