Site icon Telegrafi

Trump dhuron pagën tremujore për të ndihmuar në luftimin e coronavirusit

Presidenti amerikan Donald Trump ka dhuruar rrogën e tij për tremujorin e katërt të vitit 2019 për Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, ku do të përdoret për “mbështetjen e përpjekjeve që janë ndërmarrë për t’u përballur dhe luftuar coronavirusin”.

Këtë e ka bërë të ditur sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, përcjell Telegrafi.

Dhe siç shkruan CNBC, kjo nuk është hera e parë që Trump i dhuron rrogën e tij një agjencie që përballet me një problem urgjent.

Që nga marrja e detyrës, Trump ka “orientuar” pagën e tij vjetore prej 400,000 dollarësh në një agjenci të ndryshme çdo tremujor.

Dhurimet e mëparshme kanë shkuar, ndër të tjera, në “Zyrën e Kirurgut të Përgjithshëm” për të ndihmuar në luftimin e epidemisë së opioideve, në Departamentin e Sigurisë së Atdheut për të ndihmuar në ndërtimin e një muri në kufirin jugor, dhe në Institutin Kombëtar të Abuzimit me Alkoolin dhe Alkoolizmin, për të ndihmuar në luftimin e alkoolizmit.

Siç kujton mediumi në fjalë, alkoolizmi kontribuoi në vdekjen e vëllait të madh të Trump, Fred Trump Jr.

Vendimi i Trumpit për t’ia dhuruar pagën e tij përsëri qeverisë çdo tremujor përmbush një premtim fushate që ai bëri në vitin 2016.

Si njeriu më i pasur në epokën moderne për të zënë postin e presidentit, Trump është në një pozicion unik për ta bërë këtë.

Ndryshe, që nga e marta pasdite, coronavirusi kishte vrarë nëntë amerikanë, të gjithë në shtetin Uashington, dhe më shumë se 100 amerikanë ishin testuar pozitiv, pasi shpërthimi u konfirmua për herë të parë në Shtetet e Bashkuara në fund të shkurtit.

Ndërsa në të gjithë botën, janë raportuar më shumë se 91,000 raste, përfshirë më shumë se 3,100 vdekje. /Telegrafi/

Exit mobile version