Burimet e ditores serbe Blic thonë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohet deri në fund të vitit me presidentin amerikan Donald Trump. Këtij takimi thuhet se do t’i paraprijë një tjetër takim mes nënkryetarit amerikan Michael Pence, që pritet të mbahet më 20 shtator.
“Vuçiq dhe Pence do të takohen në margjinat e takimit të KS të OKB-së për Kosovën dhe do të flasin për dialogun Prishtinë-Beograd dhe tërë situatën në rajon”, thotë burimi, transmeton Telegrafi.
Mediumi serb shkruan se takimi me Trumpin temë qendrore do të ketë Kosovën, për çka Vuçiqi që në vjeshtë do të rris aktivitetet politike. Në shtator do të shtojë rolin e tij edhe në dialogun e Brukselit.
Vuçiqi ishte takuar me Pencen më parë, ku temë kryesore ishte përzierja ruse në Ballkan.
“Është mirë të mos zgjerohet ndikimi rus në Ballkan dhe të kuptoni se SHBA-të shqetësohen për këtë”, ka thënë Pence në korrik.
“Presim që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Prishtinës që të përmbush marrëveshjet e Brukselit e sidomos Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thonë burimet në Qeverinë e Serbisë, teksa komentojnë takimin e paralajmëruar me Trumpin. /Telegrafi/