Site icon Telegrafi

Trump dëshiron të hapë ekonominë dhe thotë se do të ketë viktima, por amerikanët janë luftëtarë

Presidenti amerikan Donald Trump, ka bërë thirrje për hapjen e ekonomisë, megjithëse mund të përkeqësojë më tej përhapjen e coronaviruseve në Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk po them se gjithçka është e përsosur, por ne duhet ta hapim vendin shpejt”, tha presidenti amerikan gjatë një vizite në fabrikën Honeywell që prodhon maska të fytyrës në Phoenix, Arizona, transmeton Telegrafi.

Para kësaj, ai e bëri atë edhe më të qartë në një prononcim për ABC News. I pyetur nëse mendonte se do të kishte jetë të humbura për shkak të rihapjes së ekonomisë, ai u përgjigj se “është e mundur që kjo të ndodhë sepse ne nuk do të kufizohemi më në shtëpi”.

Duke përmendur amerikanët si “luftëtarë”, Donald Trump tha që ata ishin të gatshëm për një “fazë të re të betejës”, dhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany shpjegoi se mjekët do të mbeten të përfshirë në procesin e vendimmarrjes.

Gjatë vizitës së Trump në fabrikën e maskave, maska kishin veshur të gjithë, por jo edhe presidenti. /Telegrafi/

Exit mobile version